Regjistri i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare tregon se ka pacientë që prej rreth katër vjetësh presin për t’i hequr venat varikoze. Në Klinikë thonë se aktualisht janë në radhë 1 mijë e 500 pacientë për ta marrë këtë shërbim. E, me dinamikën e tashme të punës, Vaskularja nuk do të mund t’i kryejë këto raste para dy vjetësh
Klinika e Kirurgjisë Vaskulare nuk i ka trajtuar pacientët, sipas regjistrit të këtij institucioni, që nga dhjetori i vitit 2019, të cilët ndodhen në listën e pritjes për t’i hequr venat varikoze.
Një paciente, që në kushte anonimiteti ka folur për KOHËN, tregoi se ajo ka bërë termin në 2021-n.
“Ka kohë që pres. Janë bërë diku dy vjet prej kur më është shënuar emri dhe më është caktuar termini për vena. Më nuk më kanë lajmëruar. Po thonë që ka shumë në rend”, ka thënë pacientja në kushte anonimiteti.
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare treguan se lista e pritjes për heqjen me operacion të venave varikoze numëron rreth 1 mijë e 500 pacientë.
Drejtori i kësaj klinike, Hajriz Rudari, thotë se në listë nuk janë edhe rastet e rënda.
“Me gjithë numrat rekord të operacioneve në vitet e fundit (në vitin e kaluar kemi realizuar mbi 350 operacione të venave varikoze), lista e pritjes për vena varikoze vazhdon të jetë e gjatë. Aktualisht për operacion presin 1.500 pacientë, në mes të tyre edhe ata të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019. Duhet përmendur që nuk ka asnjë pacient me vena varikoze të komplikuara, që përbëjnë rrezik për jetën ose ekstremitetin, që janë në listë të pritjes”, ka thënë Rudari.
Ai thotë se në klinikë punohet në tri salla operative dhe se nga 10-12 ndërhyrjet kirurgjike që realizohen gjatë ditës, 3 nga to janë raste nga lista e pritjes.
Me këtë dinamikë për t’i kryer vetëm rastet në pritje duhen së paku 2 vjet.
Por, Rudari thekson se është hartuar një strategji për eliminimin e pritjeve për këtë shërbim.
“Në këtë dokument kemi identifikuar si pengesa për eliminimin e listës – mungesën e sallave të operacionit, mungesën e anesteziologëve, mungesën e shtretërve në repart për hospitalizimin e pacientëve dhe mungesën e stafit të mesëm në sallë (instrumentare) dhe për t’u kujdesur për pacientët e operuar (infermierë në klinike)”, ka theksuar drejtori Rudari.
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare bënë të ditur se brenda vitit realizohen mbi 1 mijë e 200 operacione, përfshirë ndërhyrjet për vena varikoze.