Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pushimi pranveror sivjet nuk po mbahet si shkak i ndryshimit të kalendarit mësimor nga Ministria e Arsimit. Kjo ka bërë që shumë shkolla në Kosovë të mbajnë proces të rregullt mësimor, e disa të tjera të hyjnë në pushim pranveror. Kjo po ndodh kryesisht tek ato shkolla që e patën mbajtur grevën e mësimdhënësve. Madje, në shkolla të njëjta, disa nxënës po mësojnë, e disa po pushojnë. Ministria nuk e ka sqaruar këtë situatë.
Për grevën që e kanë ndërprerë vullnetarisht disa mësuese në shkollën “Ismail Qemaili” në kryeqytet, tani po e shijojnë pushimin.
“Na jemi duke funksionuar me dy kalendarë. Me kalendarin e parë janë ato mësuese që kanë qenë në grevë, me kalendarin e dytë ato mësuese që ë kanë ndërprerë grevën me vullnetin e tyre, dhe tani ju takon pushimi sepse i kanë përmbushur orët e tyre”, deklaroi Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemaili”.
Ndërkaq, prindërit po e shohin si penalizim për fëmijët mosshfrytëzimin e pushimit pranveror.
“Na pengon, se fëmijët kanë nevojë me pushu me dalë me e shiju pushimin”, tha njëri nga prindërit.
Edhe Këshilli i prindërve nuk është dakord me këtë situatë.
“Për fat të keq, Ministra e Arsimit e ka bazuar vendimin në dëm të fëmijëve. Nuk e ka marrë parasysh se puna gjatë vikendeve dhe festave, e pushimit zyrtar, po i dëmton ata. Fëmijët sa kanë nevojë për mësim kanë edhe për pushim”, deklaroi Labinot Salihu nga Këshilli i Prindërve .
Sipas Këshillit të Prindërve, zëvendësimi i orëve të humbura në vikende, nuk është bërë në mënyrë të duhur, pasi shumica e fëmijëve nuk e kanë vijuar mësimin.
Ministria e Arsimit kishte marrë vendim, që pushimi pranveror, të mos mbahet për asnjë klasë, si pasojë e grevës së mbajtur, por kjo gjë nuk po ndodh. RTK ka adresuar pyetje në Ministrinë e Arsimit, por nuk ka marrë përgjigje.