Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Blenda Asllani është studente në Fakultetin Filozofik dhe nuk është pranuar në konkursin e Universitetit të Prishtinës (UP) për punë praktike me pagë mujore prej 200 eurosh, e cila u ofrohet studentëve.
Ajo ka thënë se nuk i di arsyet përse nuk është njëra nga studentet përfituese, ndonëse ka shtuar që i ka plotësuar kushtet e kërkuara.
“Procesi ka qenë komplet jotransparent dhe mungesa e transparencës më ka krijuar mua hapësirë që unë të kem paqartësi në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve”, ka thënë ajo.
Asllani ka theksuar po ashtu se konkursi është përcjellë edhe me disa parregullsi të tjera.
“Unë i kam tri çështje kryesore të cilat i kam ngritur: e para, cilat janë kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur këta kandidatë, sa janë respektuar kriteret e konkursit dhe ekziston një Udhëzim Administrativ, sipas të cilit konkurset publike duhet të kenë edhe të drejtën e ankimimit dhe ky konkurs nuk ka pasur të drejtë ankese, shto këtu edhe faktin që lista e përfitueseve është jopublike”, ka shtuar studentja Asllani.
Puna praktike e studentëve përfitues pritej që të fillonte para 2 javësh, ndërse UP-ja të hënën e ka mbajtur ceremoninë me ta. Por, lista me emrat e studentëve të pranuar nuk është publikuar.
Në njoftimin e UP-së është thënë se 160 studentë janë angazhuar nëpër departamente për të kryer në zyrat administrative punë praktike me pagesë.
Në organizatën studentore “Studim, Kritikë, Veprim” kanë thënë të kenë pranuar shumë ankesa nga studentët, ndërkaq UP-në e akuzuan për mostransparencë në procesin e pranimit të studentëve për punë praktike.
“Këto gabime që janë bërë gjatë procesit të rishikohen dhe nëse dalin të vërteta ne si organizatë studentore kërkojmë që procesi të kthehet në pikën 0”, ka thënë Ruzhdi Rashiti, deputet në Parlamentin Studentor, SKV.
UP-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me pretendimet për parregullsi në këtë proces. Në njoftimin e tij për konkurs, që e mban datën 27 shkurt 2023, theksohet se, për qëllime të plotësimit të vendeve të punës praktike, sipas nevojës, UP-ja do të organizojë një intervistë të shkurtër me kandidatët e interesuar.