Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Inteligjenca Artificiale (AI) mund të zëvendësojë ekuivalentin e 300 milionë vendeve të punës me kohë të plotë, thotë një raport nga banka investuese Goldman Sachs.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, AI mund të zëvendësojë një të katërtën e detyrave të punës në SHBA dhe Evropë, por mund të nënkuptojë gjithashtu vende të reja pune dhe një bum produktiviteti.
Dhe përfundimisht mund të rrisë vlerën totale vjetore të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara globalisht me 7%.
Sidoqoftë, Inteligjenca Artificiale gjeneruese, e aftë të krijojë përmbajtje të padallueshme nga puna njerëzore, është “një përparim i madh”, thotë raporti.
Perspektivat e punësimit
Sipas një shkrimi të BBC, për shembull, qeveria është e prirur të promovojë investimet në AI në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilën thotë se “në fund do të nxisë produktivitetin në të gjithë ekonominë” dhe është përpjekur të sigurojë publikun për ndikimin e saj.
“Ne duam të sigurohemi që AI është duke plotësuar mënyrën se si ne punojmë në Mbretërinë e Bashkuar, duke mos e dëmtuar atë – duke i bërë punët tona më të mira, në vend që t’i shuajmë ato”, ka thënë për Sun, Sekretarja e Teknologjisë, Michelle Donelan.
Megjithatë, raporti vëren se ndikimi i AI do të ndryshojë në sektorë të ndryshëm – 46% e detyrave në administratën dhe 44% në profesionet ligjore mund të automatizohen, por vetëm 6% në ndërtim 4% në mirëmbajtje.
“E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt është se nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa vende pune do të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale gjeneruese”, ka theksuar Carl Benedikt Frey, nga Universiteti i Oksfordit, për BBC News.
“Ajo që bën ChatGPT, për shembull, është të lejojë më shumë njerëz me njohuri mesatare të shkrimit të prodhojnë ese dhe artikuj”.
“Konsideroni prezantimin e teknologjisë GPS dhe platformave si Uber. Papritur, njohja e të gjitha rrugëve në Londër kishte shumë më pak vlerë – dhe kështu drejtuesit aktualë pësuan ulje të mëdha pagash si përgjigje, prej rreth 10% sipas hulumtimit tonë”.
“Rezultati ishte paga më e ulët, jo më pak shoferë”.
Ndërkohë, sipas hulumtimit të cituar nga raporti, 60% e punëtorëve janë në profesione që nuk ekzistonin në vitin 1940.
Por studime të tjera sugjerojnë se ndryshimi teknologjik që nga vitet 1980 i ka “zhvendosur” punëtorët më shpejt sesa ka krijuar vende pune.
Ndikimi afatgjatë i AI, megjithatë, ishte shumë i pasigurt, mendon shefi ekzekutiv i institutit “Resolution Foundation”, Torsten Bell, për BBC News.
“Ne nuk e dimë se si do të evoluojë teknologjia apo se si firmat do ta integrojnë atë në mënyrën se si punojnë”, shtoi ai. /Telegrafi/