Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Teksa seria e iPhone 15 është gjashtë muaj larg lansimit, shumë raportime për pajisjen kanë nisur të qarkullojnë. Ndryshime të shumta janë përmendur për iPhone 15 Pro dhe iPhone 15 Pro Max në veçanti.
“Macrumors” ka përmbledhur 10 ndryshimet që spekulohen se do t’i përfshijnë modelet iPhone 15 Pro, e që s’priten të jenë te versionet standard iPhone 15 dhe iPhone 15 Plus:
Çipi A17: Modelet iPhone 15 Pro pritet të vijnë me çipin e gjeneratës së re të kompanisë Apple, A17, e që pritet të ketë performancë më të mirë e efiçiencë më të madhe. Modelet standarde iPhone 15 dhe iPhone 15 Plus pritet të kenë çipin A16.
Kornizë titani: Sikur ora Apple Watch Ultra, edhe modelet iPhone 15 Pro pritet të kenë kornizë titani në vend të çelikut
Port USB-C më të shpejtë: Modelet iPhone 15 Pro pritet të kenë portin USB-C që përkrah USB 3.2 ose Thunderbolt 3, e që do të bënte që pajisja të transferonte të dhënat më shpejt në krahasim me iPhonet ekzistues me kabllot aktuale. Tek modelet standarde iPhone 15 pritet që shpejtësia të jetë e limituar si në USB 2.0.
Wi-Fi 6E: Sikur pajisjet tjera më të mëdha, iPhone 15 Pro do të përkrahë internetin më të shpejtë Wi-Fi 6E.
Më shumë RAM: iPhone 15 Pro do të vijë me 8gigabajt RAM, sipas “TrendForcet”, ndërsa modelet standarde do të kenë 6GB RAM. RAM memoria shtesë do të bënte që aplikacionet si “Safari” të mbajnë më shumë të dhëna në prapavijë e të mos kenë ngarkesë kur rihapen.
Butonat e zërit: iPhone 15 Pro pritet të kenë “butona të brendshëm”. Në vend të lëvizjes fizike, telefonat e rinj do të mundësojnë “ndjenjën e të prekurit butonin”, ngjashëm siç pati bërë Apple tek iPhone 7 kur e zëvendësoi butonin kryesor të telefonit me ekran të ndjeshëm me prekje.
Butoni i fikjes së zërit: Modelet Pro të pajisjes së re pritet të vijnë me buton për fikjen e plotë të zërit, në vend të ndërprerësit që ka qenë deri tash.
Rritje e zmadhimit optik: iPhone 15 Pro Max do të ketë një lentë më të fuqishme që do të mundësojnë zmadhim optik deri në 6x, në krahasim me 3x sa ka qenë tek modelet iPhone 14 Pro.
Skaner më i fortë LiDAR: iPhone 15 Pro do të ketë skaner më të fuqishëm për përcaktimin e largësisë nga një objekt a sipërfaqe e caktuar për të performuar më mirë në shkrepjen e fotografive.
Teksa iPhone 15 po afrohet, padyshim që spekulimet do të rriten.