Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Një minishesh te shkolla “Elena Gjika” si nismë për sheshin e madh në zonën e vjetër

Vendi  |  27.03.2023 Ora 7:50   

Sahatkulla, Xhamia e Çarshisë e Xhamia e Madhe bashkë me Hamamin e qytetit janë disa prej objekteve që e karakterizojnë Prishtinën e Vjetër.

Zona si të veçantë e ka edhe njërën prej shkollave më të vjetra në qytet, atë “Elena Gjika”.

Pikërisht hapësira para këtij objekti do të kthehet në një shëtitore si një zonë sigurie për nxënësit dhe banorët.

Punimet që po e kthejnë kalldrëmin në rrugë kanë nisur të enjten dhe pritet të përfundojnë pas 2 javësh.

“Kemi një numër të madh të projekteve e këtë të fundit po mund ta shihni edhe ju në zonën përreth shkollës fillore ‘Elena Gjika’. Ky është një ndër projektet që jemi duke i shtyrë përpara, është faktikisht një shesh i vogël apo një zonë e vogël për nxënësit e shkollës. Kemi diskutuar edhe me banorët në atë pjesë, jemi dakorduar që ta bëjmë atë shëtitore, e cila pikësëpari iu shërben nxënësve, krijon një zonë sigurie për ta”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. “Projekti tashmë vetëm se ka filluar dhe do të përfundojë me 31 mars, dhe do ta zhvillojmë një event aty, ku do ta bëjmë bashkë të gjithë komunitetin e asaj shkolle dhe do ta festojmë bashkë ditën e shkollës ‘Elena Gjika’”.

Minisheshi është nismë për projektin e sheshit të madh që do të lidhte Prishtinën e Vjetër me sheshet aktuale.

Por, kryetari i tanishëm thotë se nuk do të shkojnë me projektin e ish-kryetarit Shpend Ahmeti, i cili nuk ofronte zgjidhje për vetura.

Ai madje thotë se projekti që e anuluan ndërhynte edhe në gjelbërim duke prerë drunjtë përgjatë rrugës.

“Në pikat në të cilat ne jemi duke punuar lidhen me njëra-tjetrën. Është edhe projekti tjetër që tash del në tender, që është nënkalimi e që planifikohet të bëhet këtu pas teatrit deri te rrethi i Komunës e po ashtu edhe pas teatrit deri te Sahatkulla. Pra po bëhet fizibiliteti i këtij projekti në mënyrë që kjo sipërfaqe të bëhet shesh i madh i kryeqytetit që lidhet me sheshin ‘Nëna Terezë’, me Sahatkullën dhe Tregun e Gjelbër, pra e krijon një hapësirë fenomenale të Prishtinës së Vjetër”, tha Rama. “Në projektin e mëparshëm nuk janë përfshirë shumë gjëra, në atë pjesë kemi një numër të madh të drunjve, të cilët janë shumëvjeçarë dhe kanë një potencial të bëhet një park i ri shumë i mirë në zonën e vjetër të kryeqytetit. Me projektin e ri nuk kemi nevojë t’i presim këta drunj, pra të njëjtit i inkorporojmë ne dizajnë dhe me e transformu një zonë shumë të madhe në dobi të qytetarëve të kryeqytetit dhe jo vetëm. Pra, po punohet që të ndërtohet një zonë e definuar e qytetit të vjetër të Prishtinës. Deri më tani nuk e ke ditur ku është zona e qytetit të vjetër”.

Eksperti i komunikacionit, Bekë Ahmeti, thotë së bllokimi i trafikut në këtë pjesë është bërë për shumë arsye e njëra prej tyre është edhe mosrespektimi i shenjave të komunikacionit.

“Mosrespektimi i shenjave të komunikacionit zakonisht e vështirëson gjendjen e trafikut në këtë zonë. Pra, është totalisht një shpërfillje e rregullave të komunikacionit, si rezultat i kësaj kudo në Kosovë bëhet bllokim i trafikut. Në anën tjetër, qytetarët prej anës së majtë tonës apo prapa meje kanë lëvizje alternative të mjaftueshme që nuk varen prej këtij sheshi, do të thotë që sheshi nuk ua vështirëson lëvizjen”, tha Ahmeti.

Rruga për këmbësorë do të largojë veturat që parkoheshin pranë shkollës e rrezikonin nxënësit, thonë banorët e lagjes.

“Këtu para shkollës unë e kam lajmëruar shumë herë policinë dhe nuk janë ardhur për t’i larguar veturat para shkollës. Kanë ardhur këtu i kanë parkuar veturat dhe e kanë bllokuar rrugën. Unë kam ardhur shumë herë këtu për ta marrë mbesën time. Nuk kam mundur të kaloja, është dashur të zgjidhnim rrugë alternative për të kaluar. Nuk po mund të kuptoj si mund të vijnë këtu dhe të parkohen para shkollës. Kjo është një ide shumë e mirë që të bëhet kështu para shkolle, kur dalin nxënësit prej shkollës të mos të jenë në rrezik, sepse këtu kalojnë shumëllojshmëri të njerëzve dhe të veturave. Këtu ka qenë shumë rrezik dhe shumë keq ka qenë”, tha qytetari Nexhmi Statovci.

“Për mendimin tim kjo është një gjë shumë e mirë, unë për veti e kam vajzën këtu rreth pesë vjet. Këtu është bërë shumë komunikacion dhe më mirë është ta ruajmë shëndetin e fëmijëve. Ndër shkollat më të vjetra ‘Elena Gjika’, mendoj se punimet këtu janë të vonuara”, tha qytetari Bekim Nura.

“Në mbrëmje të kalosh në këtë rrugë e kam fjalën në kohën kur po lëshohen fëmijët prej shkollës, këtu nuk ke shans me veturë të kalosh, kështu që kjo është ide shumë e mirë të shndërrohet në shëtitore”, tha qytetari Naim Vokrri.

Projekte të tilla Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar edhe pranë disa shkollave të tjera në mënyrë që të krijohen më shumë hapësira për ecje e më shumë siguri për nxënësit.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing