Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ylli britanik i muzikës, Ed Sheeran, e ka dhënë një intervistë të re ekskluzive për revistën “Rolling Stone”, ku zbuloi shumë informacione nga jeta personale.
Këngëtari 32-vjeçar foli për disa tema, përfshirë këtu mendimet që i kishte për t’u vetëvrarë, problemet me ushqyerjen që vazhdon t’i ketë edhe sot, ndikimin që pati vdekja e papritur e mikut të ngushtë, shërimi nga varësia prej alkoolit dhe shumëçka tjetër.
Ed po ashtu foli për gruan e tij, Cherry Seaborn dhe dy vajzat e çiftit, Lyra Antarctica dhe Jupiter.
“Miku im i ngushtë vdiq. Dhe kjo nuk u desh të ndodhë. Unë gjithmonë kam pasur momente të errëta në jetën time, por vitin e kaluar fillova t’i adresohem këtyre problemeve dhe ndjenjave të mia”, deklaroi këngëtari duke folur për mikun e tij të ndjerë, Jamal Edwards, i cili vdiq papritur në shkurt të vitit të kaluar në moshën 31-vjeçare. Shkaktari i vdekjes së tij ishte aritmia kardiake nga përdorimi i kokainës.
Një natë para se ta humbiste mikun e tij, Sheeran i tregoi gazetarit të revistës “Rolling Stone” se ai ishte duke darkuar me Taylor Swiftin dhe të dashurin e saj Joe Alwyn, derisa po komunikonte vazhdimisht me Jamalin në telefon, pasi po bënin plane për ta xhiruar një videoklip së bashku.
“Dymbëdhjetë orë më vonë ai vdiq”, deklaroi Sheeran.
Pas kësaj ngjarjeje, ylli i hitit “Shape of You” filloi të abuzoj e alkoolin dhe drogat e ndryshme.
“Dy muaj para se vajza ime e madhe të vinte në jetë, Cherry më pyeti nëse doja që dikush tjetër ta dërgonte atë në spital kur ta kapnin dhimbjet e lindjes, sepse unë isha vazhdimisht i dehur. Dhe pikërisht në atë moment e kuptova se kjo nuk është jeta që e doja, dhe nuk dëshiroja të isha i dehur në momentin që do ta përqafoja për herë të parë fëmijën tim. T’i konsumosh disa birra në ditë nuk është ndonjë problem i madh, por ta pish një shishe vodka është diçka tjetër. Unë vazhdoj të konsumoj alkool në doza të kontrolluara. Më pëlqejnë birrat dhe vera e kuqe. Por, tani jam mësuar të jem i kënaqur me pak”.
Tani që miku i tij, Jamal, ka vdekur nga konsumimi i kokainës, Sheeran premton se kurrë më nuk do të konsumoj drogë.
Por, këto nuk ishin problemet e vetme me të cilat këngëtari ka luftuar. Një tjetër gjendje e rëndë nëpër të cilën ka kaluar, është koha kur e mendonte vetëvrasjen.
“Thjeshtë nuk doja të jetoja më”, tha Ed teksa po i shpjegonte eksperiencat më të vështira të jetës. “Këto mendime të errëta i kam pasur gjatë gjithë jetës. Thjeshtë ndihesh i ngujuar në errësirë dhe të duket se nuk ka shpëtim për ty”.
Përveç pikëllimit nga vdekja e mikut të ngushtë, Sheeran u përball edhe me një periudhë tjetër të frikshme kur gruaja e tij, Cherry Seaborn, u diagnostikua me tumor gjatë kohës sa ishte shtatzënë. Ajo nuk mund t’i nënshtrohej operacionit derisa sa të lindte vajza e dytë e çiftit, Jupiter, e cila sot është 8-muajshe.
Ed deklaroi se të gjitha mendimet e errëta që po i silleshin nëpër kokë në atë kohë e bënin të ndihej “egoist”, sidomos si baba dhe i vinte shumë turp për këtë gjë.
Por, fatmirësisht Cherry ishte e para që e vuri re një ndryshim drastik tek burri i saj, dhe e nxiti që të kërkojë ndihmë profesionale.
“Në vendlindjen time njerëzit nuk flasin për ndjenjat. Të gjithë mendojnë se është e çuditshme të shkosh tek psikologu apo psikiatri për të kërkuar ndihmë. Por, unë mendoj se është shumë e rëndësishme të flasësh me profesionist për problemet tua, qoftë edhe vetëm për t’u shfryrë dhe të mos ndihesh fajtor për këtë. Sigurisht se unë kisha fatin të bëja një jetë të privilegjuar, prandaj shoqëria më shikonin me çudi pse isha në atë gjendje dhe nuk më merrnin shumë seriozisht”.
Sikur këto probleme të mos mjaftonin, Ed Sheerani pas futjes në muzikë kishte filluar të ketë probleme edhe me vetëbesimin dhe vetëvlerësimin.
“Unë gjithmonë kam qenë i pakënaqur me dukjen fizike, por kur u futa në industrinë e muzikës gjërat u përkeqësuan sepse ti krahasohesh me çdo yll të muzikës pop në botë. Në kohën kur unë fitova famën, në skenë doli edhe grupi ‘One Direction’, dhe nuk kisha si të mos e krahasoja veten me anëtarët e bendit ku secili duhet më bukur se tjetri. Dëshiroja shumë ta kisha një trup të përkryer me shumë muskuj, por kjo ishte e pamundur për mua sepse në të njëjtën kohë isha adhurues i ushqimeve me kalori dhe birrës. Më pas realizova këngë me Justin Bieber dhe Shawn Mendes, të cilët janë burra jashtëzakonisht të bukur. Kështu fillova ta urreja edhe më shumë veten dhe fillova të kem çrregullime në ushqyerje”.
Pavarësisht të gjitha këtyre sfidave të jetës, Sheeran e gjen forcën tek familja që të përballet çdo ditë me problemet e tij. Sot, ai e bënë një jetë më të shëndoshë, duke i kushtuar kohë vetes, gruas dhe vajzave të tyre.
Ndërkaq, albumi i ri i këngëtarit me titull, “Subtract”, lansohet për publikun mbarë botëror më 5 maj të këtij viti