Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Banka Botërore ka bërë të ditur se sot është kyçur në rrjet edhe fshati i fundit që kishte mbetur pa qasje në internet brezgjerë me shpejtësi të lartë në Kosovë.
Sipas njoftimit, ceremonia u mbajt në fshatin Herticë të Podujevës, ku morën pjesë ministra të kabinetit qeveritare dhe zyrtarë të Bankës Botërore, e cila sipas tyre, shënoi përfundimin e punimeve që lidhën gjithsej 201 fshatra, me 60 mijë banorë.
“Përveç kyçjes së pothuajse 5,000 amvisërive në internet me shpejtësi të lartë deri në 100 Mbps, është siguruar edhe kyçja për 107 shkolla dhe 43 institucione shëndetësore në lokacione të largëta”.
“Qasja në internet me shpejtësi të lartë dhe infrastrukturë më të mirë digjitale në përgjithësi do t’i përmirësojë lidhjet e Kosovës me ekonominë globale, çka është esenciale për një ekonomi më produktive dhe me rritje më të shpejtë, si dhe do të sjellë përfitime për të gjithë popullin e Kosovës”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Vendit për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut i Bankës Botërore, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se qasja në rrjet brezgjerë me shpejtësi të lartë mund të ndihmojë në ofrimin e shërbimeve publike, të ofrojë mundësi për përvetësimin e shkathtësive, si dhe të gjenerojë të hyra përmes punës online.
“Është kënaqësi për ne kur shohim se Kosova po i arrin prioritetet dhe ambiciet e veta digjitale dhe besojmë se investimet për zhvillim digjital do të japin kontribut transformues në ekonominë e Kosovës dhe do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të vendit”, tha Nicole Klingen, Menaxhere e Bankës Botërore për Praktikën për Zhvillim Digjital për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Projekti u financua me një kredi koncesionare në shumën prej 25 milionë dollarë nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim i Grupit të Bankës Botërore.