Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“DokuFest” pas Zvicrës shpalos filmat e krijuesve të rinj në Kanada

Vendi  |  21.03.2023 Ora 10:32   

Gjashtë filma të realizuar në Prizren nga akademitë prestigjioze të filmit nga Zvicra, nëpërmjet një kampusi filmik të organizuar nga “DokuFest” dhe monitoruar nga filmbërësja Kaltrina Krasniqi dhe producenti Eroll Bilibani, u shfaqën po në Zvicër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në një program special të quajtur “Kosova në fokus”. “DokuFest” të hënën ka njoftuar se në festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër “REGARD” në Saguenay – qytet në Québec të Kanadasë – me një program special të kuruar nga Samir Karahoda që titullohet “DokuFest: Zërat e rinj të Kosovës”, publiku do të ketë mundësinë të shohë gjashtë projekte kinematografike të shtetit më të ri të Evropës

 

Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” numëron mbi dy dekada që botën e kinematografisë e sjell në Kosovë. Përtej kësaj, audiencës vendore i jep mundësinë që të shohë filma e dokumentarë të ndryshëm. Por numëron jo pak kohë që ka nisur të veprojë edhe ndryshe: t’ia tregojë botës kinematografinë kosovare.
 

Pikërisht këtë e ka bërë muajin e kaluar në Zvicër. Në festivalin ndërkombëtar të filmit “FIFDH”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kushtuar kinemasë dhe të drejtave të njeriut, u shfaqen gjashtë filma të Kosovës. Tash është radha për Kanada.
 

“DokuFest” të hënën ka njoftuar se në festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër “REGARD” në Saguenay – qytet në Québec të Kanadasë – me një program special të kuruar nga Samir Karahoda që titullohet “DokuFest: Zërat e rinj të Kosovës”, publiku do të ketë mundësinë të shohë gjashtë projekte kinematografike të shtetit më të ri të Evropës.
 

Paraprakisht, gjashtë filma të realizuar në Prizren nga akademitë prestigjioze të filmit nga Zvicra, nëpërmjet një kampusi filmik të organizuar nga “DokuFest”, dhe monitoruar nga filmbërësja Kaltrina Krasniqi dhe producenti Eroll Bilibani, u shfaqën po në Zvicër në një shfaqje speciale të quajtur “Kosova në fokus”. Filmat ishin përshkruar si një “zhytje artistike dhe humane në realitetin e një vendi të ri dhe dinamik”.

 

E festivali kanadez “REGARD”, që numëron 27 edicione, do të ketë edhe pak nga era e kinematografisë kosovare. Edicioni i sivjetmë mbahet prej 22 deri më 26 mars. Kuruar nga regjisori dhe programuesi i “DokuFest-it”, Samir Karahoda, gjashtë filmat janë pjesë e një programi special tematik të festivalit, të titulluar “DokuFest: Zërat e rinj të Kosovës”.

“Programi përbëhet nga dy filma të shkurtër të cilët janë realizuar përmes shkollës së filmit të ‘DokuFestit’, 'Future is Here', qëllimi i së cilës është të fuqizojë të rinjtë, dhe katër filma nga regjisorë kosovarë të cilët kanë marrë vëmendje si rajonale ashtu dhe ndërkombëtare për mjeshtërinë e tyre”, shkruhet në njoftimin e “DokuFestit”.
 

“Prishtinë, 2002”, nën regji të Trëndelinë Halilit, “Time” me regji të Endri Malokut, “Four Pills at Night” me regji të Leart Ramës, “Gardhi” me regji të Lendita Zeqirajt, “Prison Romance” me regji të Denisa Mincit dhe “Pa Vend” nën regji të Samir Karahodës janë gjashtëshja që do të jepen në Kanada.
 

“Pa vend”, film me producent Eroll Bilibanin, u dha premierë botërore më 16 korrik 2021 në Festivalin e Filmit në Cannes. Prej aty vazhdoi në një tjetër kontinent dhe më 19 shtator mori çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në njërin prej festivaleve më të rëndësishme në botë, “Toronto International Film Festival”. Filmi mori çmimin e jurisë për filma të shkurtër në festivalin më të madh të pavarur në SHBA, “Sundance Film Festival”. Po atë vit ishte i nominuar në edicionin e 34-të të Çmimeve të Akademisë Evropiane të Filmit. E lista e çmimeve dhe pjesëmarrjeve të tjera për këtë film është e gjatë.
 

“Si çdo gjë tjetër, edhe kinematografia e Kosovës filloi epokën e saj nga fillimi i pasluftës. Për gati 20 vjet rresht, xhirimet në Kosovë në atë kohë konsideroheshin krim nga regjimi, prandaj me lirinë e vitit 1999, shumë histori të patreguara dhe të mbledhura filluan të ekspozoheshin për publikun përmes filmave”, ka thënë Karahoda, i cili është edhe pjesë e jurisë së festivalit kanadez. Sipas tij, viteve të fundit kinematografia kosovare ka bërë një revolucion në industrinë botërore të filmit, ku filmat e prodhuar veçanërisht nga gjenerata e re e kineastëve u përzgjodhën dhe triumfuan në festivalet më të mira botërore. “Pavarësisht kushteve modeste, autorët dëshmuan se kanë talentin për të treguar historitë tona unike në një formë dhe stil të veçantë. Vetë programi përmban gjeneratën e re apo të ashtuquajturit Kineastët Kosovarë të Valës së Re, filma që trajtojnë tema jashtëzakonisht të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe në të njëjtën kohë janë pasqyrë e së vërtetës në vendin tonë”, citohet të ketë thënë ai. Ky përshkrim i tij gjendet edhe në ueb-sajtin e festivalit kanadez.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing