Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Tenderimi i punimeve për sivjet, mungojnë projektet e mëdha të fushatës

Vendi  |  20.03.2023 Ora 10:35   

Lidhja e Pallatit të Rinisë me “Arbërinë” e lidhja e “Kalabrisë” me “Dardaninë” janë vetëm dy nga projektet madhore me të cilat Përparim Rama fitoi garën për Prishtinën.
 

Por, është pranvera e dytë që ai udhëheq punët e kryeqytetit dhe këto projekte janë larg realizimit.
 

Sivjet në tenderim ende nuk ka projekte të mëdha.

 

Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, thotë se ky është viti i parë që Komuna e Prishtinës nuk ka vonesa në procedurat e prokurimit dhe tenderimit.

 

“Po flas me shumë përgjegjësi që është viti i parë që me procedurat e prokurimit i kemi ndjekur të gjithë hapat që të mos ngecim. Vitin e kaluar në zyrë kam ardhur në shkurt dhe shumicën e projekteve nuk i kemi pasur në procedurë. Është dashur të përfundoheshin procedurat pastaj të hynim në tenderim. Nuk ishte në dorën tonë që të ecnim më shpejt”, tha Xhaferi për emisionin "038" në KTV. 

Xhaferi deklaroi se një prej rrugëve që vlerësohet si ndër arteriet kryesore për shkarkimin e trafikut në kryeqytet, “Rruga A”, pritet që brenda tri javësh t’i fillojë punimet.
 

Rruga e shumëpërmendur “A”, tashmë e riemërtuar “Xhim Xhema”, thotë se do të fillojë së ndërtuari sivjet.
 

“Ne kemi punuar në disa segmente të ‘Rrugës A’, e cila është në procedurë të tenderimit. Me sa kam njohuri, është shpallur fituesi dhe është në fazën e ankesave, siç janë procedurat e prokurimit. Pjesën tjetër të projekteve të vitit 2023, të gjitha ne në janar i kemi përcjellë në tenderim, sepse në vitin 2022 i kemi përpiluar të gjitha projektet e vitit 2023 në këtë afatin kohor të projekteve. Të gjitha projektet e vitit 2023 janë në proces të tenderimit. Janë 12 projekte, të cilat janë në vlerësim”, tha Xhaferi. “Shumë shpejt do të mund t’i shohin qytetarët këto projekte. ‘Rrugën A’ e kemi në fazën e fundit të procedurave. Është zgjedhur edhe kompania dhe nëse ka ankesa do të dërgohet në OSHP. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, brenda tri javësh do të vazhdojmë me ndërtimin e kësaj rruge. Kurdo që kemi lidhje të kontratave do të vazhdojmë punimet”.
 

E Komuna e Prishtinës sivjet thotë se do të investojë nëpër rrugica në zonën urbane dhe disa rrugë në fshatra, si në Vranidolli, Bardhosh e Barilevë.
 

Me të nuk pajtohet opozita në Komunën e Prishtinës, sipas Bahri Gashit, asamblist i AAK-së, asnjë nga kontratat e bëra deri më tani nuk është serioze.
 

“Fatkeqësisht kjo po vazhdon që nga viti i kaluar, nuk ka kontrata serioze dhe nuk ka projekte serioze deri më tani. Disa kontrata që i ka lidhur Komuna e Prishtinës në vlerë maksimale prej 2 milionë eurosh, që është as 1 për qind e buxhetit, nuk është. Unë po mendoj që këtu më shumë është problem tek njësia kërkuese që ata nuk po dinë t’i bëjnë kërkesat si duhet dhe nuk po dinë t’i përpunojnë projektet dhe pastaj prokurimi po mbetet në procedura. Vitin e kaluar kemi pasur vazhdimisht ankesa prej Përparim Ramës dhe kabinetit të tij që OSHP-ja nuk po punon, realisht ajo është duke punuar që nga shtatori”, tha Gashi.
 

Gashi tutje shton se OSHP-ja aktualisht është duke ia kthyer Komunës shumë tenderë për shkak të parregullsive.
 

“OSHP-ja është duke ia kthyer Komunës tenderët për parregullsi në kërkesa dhe kritere që po kërkohen nga operatorët që për disa janë të papërballueshme”.
 

Për asfaltimin e një pjese të rrugës “Nekibe Kelmendi”, Komuna e Prishtinës kishte ndarë rreth 500 mijë euro, kurse për përfundimin e projektit të “Rrugës A” janë planifikuar të shpenzohen 9.5 milionë euro.
 

Komuna e Prishtinës kohë më parë kishte miratuar buxhetin prej 105 milionë eurosh për vitin 2023, që mbi 40 milionë euro janë paraparë për projekte të investimeve kapitale./koha.net/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing