Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Libraria “Dukagjini” është futur në listën e ngushtë të të nominuarve për Çmimin Ndërkombëtar të Përsosmërisë, në kuadër të Panairit të Librit në Londër. Për këtë çmim prestigjioz, “Dukagjini” garon për kategorinë “Çmimi për librarinë e vitit”, bashkë me libraritë “Minoa” nga Turqia, “Strandlaufer Verlagsbuchhandlung” nga Gjermania dhe “Rovingheights” nga Nigeria.
Në komunikatën për medie, lëshuar nga “London Book Fair”, potencohet fakti i debutimit të Kosovës në këtë garë prestigjioze.
“Lista e ngushtë e këtij viti përfshin shtatë vende të ndryshme, me Kosovën në listën e ngushtë për herë të parë, dhe Amerikën Veriore që shquhet me pesë nominime”, - thuhet në komunikatën për medie, të lëshuar nga LBF-ja.
Tutje, aty potencohet fakti se lista e ngushtë për secilën kategori u përzgjodh nga panele ekspertësh të secilit sektor.
Gareth Rapley, drejtor i Panairit të Librit në Londër, ka thënë se përsosmëria në botim qëndron në zemër të gjithçkaje, duke shtuar se “lista e shkurtër e Çmimeve Ndërkombëtare të Përsosmërisë është një vlerësim për kompanitë e shumta frymëzuese, që punojnë shumë për ta bërë botimin gjithëpërfshirës dhe të qasshëm”.