Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë njoftuar qytetarët dhe bashkatdhetarët në diasporë për lansimin e Javës së Kulturës jashtë vendit e cila nis me Portugalinë.
“Nisma e përbashkët është marrë me qëllim që të prezantohet skena artistike dhe kulturore e Kosovës, tek populli i vendeve të ndryshme me program kulturor dhe artistik përgjatë një jave. Java e Kulturës përfshinë një mori aktivitetesh që synojnë festimin e identitetit të pasur kulturor dhe format e larmishme të artit vendor, duke ia ofruar publikut të huaj një përvojë unike të talentit dhe potencialit artistik nga Republika e Kosovës” thuhet në njoftim.
Duke filluar nga data 19 mars deri më 24 mars, aktivitete të shumta kulturore do të zhvillohen në Portugali, përkatësisht në qytetin e Lisbonës, Bragës dhe Portos, duke paraqitur një gamë të gjerë formash arti, përfshirë muzikën, filmin, artet pamore, literaturën dhe gastronominë.
“Objektivi i ngjarjeve është shpërfaqja e talentit artistik dhe identitetit kulturor të Kosovës, duke synuar nxitjen e lidhjeve ndërmjet artistëve nga Kosova, diaspora dhe atyre në vendet pritëse. Duke e vlerësuar artin si një nga fushat e rëndësishme për të nxitur shkëmbimin dhe mirëkuptimin kulturor midis dy vendeve, synojmë që përmes këtyre aktiviteteve dhe shkëmbimeve, të promovojmë më tej lidhjet e forta midis dy kulturave dhe të hapim rrugë për bashkëpunim të mëtejshëm” thuhet në njoftim.
MPJD dhe MKRS fton të gjithë të interesuarit që t'i bashkohen festimit për trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës gjatë Javës së Kulturës së Kosovës jashtë vendit në Portugali.