Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Segmenti Suharekë-Prizren i autostradës “Ibrahim Rugova” është mbyllur përkohësisht si pasojë e rrëshqitjes së dheut, derisa segmenti i njëjtë mbetet i hapur nëse lëvizet nga Prizreni në drejtim të Prishtinës.
Të martën në mbrëmje ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi thotë se për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë një segment i autostradës është mbyllur përkohësisht.
“Jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
“Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim”, ka njoftuar tutje Durmishi.
Ai ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, duke u bërë thirrje që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25.