Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ylli ndërkombëtar i muzikës me origjinë nga Kosova, Rita Ora, ka bërë një urim për shqiptarët e Kosovës me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.
Në një video-mesazh për transmetuesin publik të Kosovës, Rita nuk nguroi të shprehte edhe një herë mirënjohjen për bashkëkombësit e saj, që e mbështetën gjithmonë në rrugën drejt suksesit.
“Përshëndetje RTK, jam Rita Ora. Do të mund të flisja pa u ndalur për rrugëtimin tim me njerëzit e mi në Kosovë. Urime Pavarësia Kosovë dhe faleminderit për të gjitha këto vite krenarie dhe mbështetjeje”, thotë ndër të tjerash Rita Ora.
Video-mesazhi i plotë i këngëtares shqiptare do të transmetohet i plotë në koncertin festiv të RTK-së me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, të titulluar “Rrno për me tregue”.
Rita Ora përndryshe ka qenë e para këngëtare shqiptare nga Kosova e cila ka depërtuar në tregun e huaj të muzikës.
Ajo gjithashtu mbetet shqiptarja e vetme me renome botërore që i ka dedikuar këngë vendit të saj në vitin 2012, të titulluar “Shine Ya Light”.
Ora ishte e ftuar speciale në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës pesë vite më parë, në një koncert gjigant dhe të paharruar që mbajti para popullit shqiptar në Prishtinë.
Që nga viti 2015, me dekret të presidentes së atëhershme të vendit, Atifete Jahjaga, Rita ora është shpallur ambasadore nderi e shtetit të Kosovës.