Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

NEWBORN-i sivjet, protestë kundër copëtimit të Republikës

Vendi  |  17.02.2023 Ora 8:20   

Monumente që shënojnë pavarësinë e një vendi, bota njeh plot. Por aso që transformohen në çdo përvjetor duke bartur një mesazh të veçantë, mund të gjendet vetëm në Kosovë. NEWBORN-i sivjet ka për qëllim që të mbrojë atë për të cilën është krijuar: Republikën. Është transformuar në NO NEW BR. E, kur në shkronjat BR është e shkruar “BROKEN REPUBLIC”, kompletohet mesazhi: NO NEW BROKEN REPUBLIC.

Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, ka shigjetuar direkt planin për themelimin e një Asociacioni me një etni, atë të komunave me shumicë serbe. Aktualisht shteti më i ri i Evropës gjendet përballë presionit ndërkombëtar për ta themeluar këtë lloj pushteti të tretë. Por simbolikat e monumentit të Pavarësisë janë të shumta.

Pas orës 02:00 të mëngjesit të së premtes, ekipi prej nja 15 vetash i ka dhënë fund punës për transformimin e NEWBORN-it. Pasi janë renditur shkronjat sipas konceptit të sivjetshëm, është dashur të preken edhe njëherë në mënyrë që të jenë saktë në vijë. Nervozizmi e tensionet e vogla që ngjallen në ekip duke tentuar që gjithçka të jetë e përkryer, janë rrëfimi prapa perdeve gjatë transformimeve të parvjetshme.

“Kurrë nuk i kam komplikuar mesazhet. Ideja është që të të fus pak të mendosh por jo shumë. Të kaplohesh nga ideja se çfarë kemi dashur të themi”, thotë disenjatori Fisnik Ismaili. Lojën me shkronja e ka bërë për dy arsye.

“E para është të kundërshtohet ‘zajednica’, asisoj që të tregojmë se është shpallur një republikë para 15 vjetëve dhe nuk po duam republikë të re e bosnjëzim. Mund të themi No New Bosnian Rupublic. Ngjyrat verdhë e kaltër janë edhe ngjyrat e Ukrainës. Edhe atje është duke u thyer e duke u copëtuar një republikë”, thotë ai. Në konceptin e tij, është edhe një mesazh përkrahës për Ukrainën.

“T’i tregojmë botës se rusët dhe serbët e kanë agjendën e njëjtë: të prishin e të thyejnë republika”, thotë Ismaili derisa përcakton centimetrat që ndajnë shkronjat nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës i sillet përreth monumentit për të vëzhguar nëse gjithçka po shkon mirë. Paraprakisht të martën mbrëma shkronjat janë ngjyrosur në tërësi. Zënë vend veç dy ngjyra: e kaltra dhe e verdha. “BROKEN REPUBLIC” është shkruar me të bardhë, duke bërë që krejt ngjyrat e flamurit të Kosovës të jenë aty.

“NEWBORN-i gjithnjë ka prekur tema aktuale. Është varur sa kanë dashur mediat t’i japin jehonë”, thotë Ismaili. Por zakonisht çdo vit, monumenti zë hapësirë në mediat më prestigjioze në botë.

Vepra e inauguruar më 17 shkurt 2008 kur edhe u shpall Pavarësia, për pesë vjet kishte qëndruar njëjtë. U përurua me ngjyrë të verdhë e transformimi i veprës për gjysmë dekade ishin nënshkrimet nga qytetarët. Ata që duan mund të nënshkruhen prapë. Bile, tash me simbolikën se po bëjnë një lloj peticioni kundër asociacionit.

Për 5-vjetor të Pavarësisë ishin punuar flamujt e shteteve që kishin njohur Kosovën deri atëherë në shenjë falënderimi e duke bërë thirrje për njohje të reja. Një vit më vonë qe ngjyrosur me uniforma të NATO-s, pasi ishte 15-vjetori i Çlirimit. Asokohe ishte një shenjë falënderimi për aleancën më të madhe ushtarake në botë që çliroi Kosovën më 1999. Në shkurt të vitit 2015 autori i kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in. Po atë vit vepra kishte marrë statusin e monumentit nga shteti. Një vit më vonë telat me gjemba dhe qielli shpërfaqën një tjetër perspektivë. Bëhej thirrje që të largohet izolimi nëpërmjet telave me gjemba dhe qiellit. Ngjyrosja më 2017-n ia kishte dhënë pamjen e një muri dhe rrëzimi i dy shkronjave krijonte thirrjen “No Walls” (Pa mure). Sipas Ismailit, “No Walls” ka qenë mesazh shumë i fortë. Bash atëherë u bë një mur në Mitrovicë e edhe Donald Trump bënte fushatë me murin në kufi me Meksikën.

Ajo që mund të quhet puna e ngjyrosjes, gjithnjë prihet nga Nita Qena. Sivjet ajo është kujdesur që pasi janë hequr negativët e “BROKEN REPUBLIC” nëpërmjet ngjyrës të specifikojë secilin detaj skajeve të shkronjave.

“Sivjet ka qenë pak më lehtë. Zakonisht është shumë më vështirë pasi kur kemi të vizatojmë është sipërfaqe shumë e madhe. Sivjet vetëm e kemi ngjyrosur. Ishte vështirë pak pasi është dashur t’i jepen disa duar ngjyrë që ta marrë këtë formë”, ka treguar ajo gjatë punës.

Ka thënë se idetë për sivjet ishin të shumta. Por dominoi njëra.

“U bë shumë më aktuale puna e asociacionit dhe nuk kishte mundësi të bëjmë diçka tjetër. Ne, duke e ngjyrosur njerëzit na pyesnin a është duke u bërë për Ukrainën”, ka treguar ajo.

Në 10-vjetorin e Pavarësisë më 2018, monumentit në vend të shkronjës “B” i ishte vënë numri “1”, që bashkë me shkronjën “O” formonin numrin 10, që lidhej me dekadën e parë të Pavarësisë. E një vit më pas më 2019 prapë ishte inkuadruar publiku duke bërë që ngjyrosja të ishte plotësisht në dorë të të rinjve, sipas dëshirës së tyre. Më 2020 qe homazh për viktimat e përdhunimeve kur të shtatë shkronjat e monumentit të Pavarësisë – NEWBORN – sublimonin mesazhin në formë thirrjeje “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime dhe shpërfillje” (në anglisht “Never Ending Wars Bring Opression, Rape & Neglect”). Më 2021 nëpërmjet shuplakave të dorës me ngjyrë ekipi bashkë me qytetarët kishin bërë kamuflazh ushtarak.

E vjet, në 14-vjetor të Pavarësisë, kishte gruan në fokus. Iu dedikua atyre me shumë arsye. Portretet shumëngjyrëshe që zinin shkronjat nga ana e përparme ishin gratë e suksesshme që ia zbardhin fytyrën këtij vendi. Nga prapa ishin lënë të zeza si një lloj homazhi për viktimat a thirrje kundër dhunës ndaj grave. Në aspektin global monumenti u bë edhe zëri i dyndjeve të refugjatëve që kanë qenë kryelajm në media botërore. NEWBORN-i ka marrë shpërblime ndërkombëtare për dizajn, duke përfshirë edhe “Luanin e artë” në Festivalin e 55-të Ndërkombëtar për Publicitet në Cannes. Agjencia “Ogilvy Kosova” ishte shpërblyer edhe me “Silver Clio” në kategorinë e dizajnit në ceremoninë e 49-të me radhë të mbajtur në Miami.

Sivjet mesazhin e ka tejet të fuqishëm politikisht. Mbetet të shihet nëse edhe në praktikë do të zërë vend thirrja për të mos cenuar Republikën. Në rast se ndodh ndryshe, do të cenohej edhe thelbi i monumentit që tash e 15 vjet bën thirrje për paqe.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing