Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Më 5 nëntor shënohet Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Cunamin, me qëllim rritjen e vetëdijes për rrezikun nga këto fenomene natyrore dhe rëndësinë e përgatitjes për situata emergjente.
Nën moton “Bëhu gati për cunami: Qëndrueshmëria fillon nga ti”, Kombet e Bashkuara theksojnë se njohja e shenjave paralajmëruese dhe reagimi i shpejtë mund të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Cunamet janë valë gjigante detare që zakonisht shkaktohen nga tërmetet nënujore, por mund të krijohen edhe nga shpërthimet vullkanike, rrëshqitjet nënujore dhe goditjet e asteroidëve.
Ato mund të arrijnë në bregdet brenda pak minutash dhe të shkaktojnë përmbytje e dëme të mëdha. Një rrezik i veçantë është se vala e parë nuk është domosdoshmërisht më e madhja, ndërsa valët mund të vazhdojnë të vijnë për disa orë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë 100 viteve të fundit, 58 cuname kanë shkaktuar më shumë se 260 mijë viktima në mbarë botën.
Për këtë arsye, qytetarët në zonat e rrezikuara këshillohen të njohin rrugët e evakuimit, të marrin pjesë në ushtrimet emergjente dhe të drejtohen menjëherë në zona më të larta kur marrin paralajmërim.
Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Cunamin u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2015, me nismën e Japonisë, vend që ka përvojë të gjatë në përballimin e cunameve.