Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Dogana e Kosovës ka njoftuar të gjithë qytetarët që në rast të hyrjes apo daljes nga territori i Republikës së Kosovës me 10 mijë apo më shumë para në xhep janë të detyruar të deklarojnë në Doganë.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se në raste të tilla qytetari duhet të paraqesë me shkrim shumën dhe burimin e tyre të verifikueshëm tek zyrtari doganor.Tutje thuhet se deklarimi duhet të përfshijë të dhëna të sakta dhe të plota, dhe nëse kërkohet nga zyrtari doganor, personi duhet të paraqesë edhe vetë instrumentet (mjetet monetare) për verifikim.
Njoftimi i plotë i Doganës:
Njoftim për Deklarimin e Detyrueshëm të Qarkullimit të Instrumenteve (Mjeteve Monetare) brenda dhe jashtë Kosovës
Në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës dhe bart instrumente (mjeteve monetare) në vlerë prej dhjetëmijë (10,000) euro apo më shumë, ose vlerën ekuivalente në valutë të huaj, është i detyruar t’i deklarojë ato pranë zyrtarëve doganorë.
Deklarimi i Instrumenteve (Mjeteve Monetare)
– Obligimi për Deklarim: Çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart instrumente (mjeteve monetare) në vlerë prej dhjetëmijë (10,000) euro apo më shumë duhet të paraqesë me shkrim shumën dhe burimin e tyre të verifikueshëm tek zyrtari doganor. Deklarimi duhet të përfshijë të dhëna të sakta dhe të plota, dhe nëse kërkohet nga zyrtari doganor, personi duhet të paraqesë edhe vetë instrumentet (mjetet monetare) për verifikim.
– Dërgimi dhe Pranimi përmes Postës: Për personat që dërgojnë ose pranojnë instrumente (mjete monetare) përmes postës, ngarkesave kargo apo kuririt komercial, deklarimi duhet të bëhet në formë të shkruar dhe të përmbajë shumën dhe burimin e tyre të verifikueshëm. Ky detyrim mund të përmbushet edhe përmes njoftimit të përmbajtjes së pakos në deklaratën doganore ose në dokumentacionin ndërkombëtar të bagazhit.
Mosrespektimi dhe Masat Ndëshkuese
– Gjobë për Mosdeklarim: Nëse një person nuk respekton detyrimin për të deklaruar instrumentet (mjetet monetare) siç është paraparë në nenin përkatës të ligjit, Dogana e Kosovës do të shqiptojë një gjobë prej njëzet e pesë përqind (25%) të shumës totale të instrumenteve (mjeteve monetare) në posedim për të cilat ka detyrim për të deklaruar.
– Sekuestrimi i Instrumenteve (Mjeteve Monetare): Nëse gjoba e shqiptuar nuk paguhet menjëherë, zyrtari doganor ka të drejtë të sekuestron dhe mban njëzet e pesë përqind (25%) të shumës së instrumenteve (mjeteve monetare). Nëse instrumentet (mjetet monetare) nuk janë të ndashme në mënyrën që lejon sekuestrimin e shumës së saktë, zyrtari doganor do të sekuestron një shumë më të madhe, por sa më të përafërt me shumën që duhet sekuestruar. Pas sekuestrimit, zyrtari doganor lëshon një vërtetim me shkrim ku deklarohen faktet përkatëse, shuma e sekuestruar dhe e mbajtur.
– Verifikimi i Burimit: Në rast se personi nuk mund të ofrojë burimin e verifikueshëm për shumën totale të instrumenteve (mjeteve monetare) në posedim, zyrtari doganor ka të drejtë të sekuestron të gjithë shumën. Kopjet e të gjitha deklaratave të regjistruara dhe njoftimet për çdo deklarim të pasaktë ose jo të plotë i dërgohen Njësisë për Inteligjencë Financiare të Kosovës (NjIF-K).
E Drejta e Ankesës
– Rishqyrtimi dhe Ankesat: Kundër vendimit të sjellë për kryerje të veprës kundërvajtëse, pala ka të drejtë të paraqesë kërkesë për rishqyrtim të vendimit në Doganë brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e pranimit të vendimit.
Për më shumë informacion dhe për të lexuar plotësisht tekstin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ju lutem vizitoni këtë link.